Përcaktimi i seksionit të kabllit duket si detyrë e thjeshtë tabelash, dhe pikërisht prandaj gabohet shpesh. Kablli duhet të plotësojë dy kushte të pavarura njëkohësisht, dhe cili prej tyre komandon varet nga distanca.
Kushti i parë: ampaciteti
Përçuesi duhet ta mbartë rrymën pa e kaluar temperaturën e lejuar të izolimit. Vlerat në tabela janë për kushte referencë; realiteti rrallë përputhet me to. Temperatura e ambientit, mënyra e vendosjes — në ajër, në tub, i varrosur — dhe sidomos grupimi i disa qarqeve bashkë e ulin ndjeshëm kapacitetin. Anashkalimi i faktorëve korrigjues është gabimi më i shpeshtë dhe më i rrezikshëm, sepse pasoja e tij është mbinxehja.
Kushti i dytë: rënia e tensionit
Në distanca të gjata, kablli mund ta mbajë rrymën pa problem dhe prapë të mos jetë i përshtatshëm. Tensioni bie përgjatë linjës, dhe nëse bie shumë, pajisjet punojnë keq: motorët nxehen, ndriçimi zbehet, kontaktorët nuk mbajnë. Për këtë arsye, në linjat e gjata seksioni përcaktohet nga rënia e tensionit, jo nga ampaciteti — shpesh dy ose tri hapa mbi atë që do të mjaftonte termikisht.
Rasti i motorëve
Motorët tërheqin gjatë nisjes disa herë rrymën nominale. Nëse linja është e gjatë, rënia e tensionit gjatë kësaj periudhe mund ta pengojë motorin të marrë moment të mjaftueshëm. Në stacione pompimi kjo është shkak i zakonshëm i defekteve që duken si problem i pajisjes, ndërkohë që janë problem i linjës.
Si ndihmon AlbGIS
- Kabllot Elektrike — seksioni minimal sipas IEC 60364-5-52, me kontroll ampaciteti të korrigjuar për temperaturë e grupim dhe kontroll të rënies së tensionit.
- Linjat Elektrike të Jashtme — për linja nga transformatori te konsumatori, me përçues ACSR/AAC/ABC dhe kontroll të nisjes së motorit.
- Panelet Fotovoltaike — kur furnizimi vjen nga vetëprodhimi, dimensionimi nis nga prodhimi i pritshëm.